Lokale - eSIMy

Dy raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Komunën e Podujevës. Një rast pozitiv në qytet dhe një tjetër në fshatin Peran u konfirmuan të hënën nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raporton Llapi.info.

IKSHPK-ja në njoftimin e saj ditor bëri të ditur për gjashtë raste pozitive, mirëpo këtë e mohoi komuna e Podujevës nëpërmjet një reagimi.

Komuna tha se katër rastet tjera nuk janë nga komuna e Podujevës, por punojnë në Podujevë, përkatësisht në burgun e sigurisë së lartë në Gërdoc.

Për herë të parë pas disa javësh, numri i rasteve aktive në këtë komunë ka rënë nën 100. Këtë e ka konfirmuar për Llapi.info epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

“Sot na u është konfirmuar për dy raste pozitive me koronavirus në Podujevë. Përveç këtyre dy rasteve, sot janë shpallur të shëruar edhe 14 pacientë, duke bërë kështu që numri i rasteve aktive të bie në 99”, ka thënë Rama.

Zyrtarisht institucionet shëndetësore në Podujevë janë të informuar për 14 të vdekur me COVID-19, të cilët kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese, ndërkohë që janë shëruar mbi 350 pacientë.

Që nga rasti i parë pozitiv më 15 mars, deri më tani në Podujevë pozitivë për COVID-19 kanë rezultuar rreth 500 llapjanë. Në Klinikën Infektive dhe QKMF-në e Podujevës janë testuar mbi 1.500 qytetarë.

Epidemiologia dhe anëtarja e shtabit emergjent, Bedrie Rama ka theksuar se sot janë testuar edhe 22 persona, rezultatet e të cilëve pritet t’iu bëhen të ditura në ditët në vijim.

Që nga rritja e numrit të të infektuarve me virusin korona, deri tani 12 punëtorë shëndetësorë kanë rezultuar pozitivë, gjersa para dy dite pozitiv doli një infermiere. Siç ka mësuar portali, përveç institucioneve shëndetësore, me COVID-19 janë infektuar edhe zyrtarë policorë si dhe zyrtarë komunalë.

Ndërkaq, se sa po respektohen masat anti-covid, Policia po monitoron nganjëherë nëpër rrugë, kafiteri dhe lokale tjera. Se që po patrullojnë zyrtarë policorë e kanë thënë në mbledhjen e fundit të shtabit emergjent edhe komandanti i stacionit policor, Bekim Zogiani. Përkundër që ai ka thënë se numri i gjobave dita-ditës është në rritje, një gjë të tillë s’e kanë konfirmuar akoma nga ky institucion. Portali ka tentuar të marrë detaje se sa gjoba janë shqiptuar për personat që s’i kanë respektuar masat anti-covid, por nga Policia e Podujevës deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Siç mëson Llapi.info, pronarë të bizneseve janë gjobitur për mosrespektimin e masave ndaj COVID-it, kurse inspektorati dhe PK kanë ndërhyrë edhe në organizimet për pritjen e të pameve (ngushëllimeve), për të cilat Llapi.info ka siguruar edhe fotografi.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar në 24 orët e fundit 13 persona të vdekur me COVID-19, duke e çuar numrin total të viktimave në 480.

Të dhënat e së hënës kanë treguar edhe për 99 raste të reja të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas testimit të 406 mostrave.

Përgjatë 24-orëve të fundit janë shëruar edhe 152 pacientë nga sëmundja që shkakton COVID-19, duke bërë kështu që numri i të shëruarve të arrijë në 8.657. Aktualisht janë edhe 3,410 raste aktive.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me virusin korona në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka raportuar për 12,547 të infektuar me këtë virus./Llapi.info