Numri i rasteve aktive me virusin korona ka filluar të bie dukshëm gjatë javëve të fundit në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se aktualisht me COVID-19 aktivë janë edhe 72 qytetarë. Rama ka thënë se gjatë 24-orëve të fundit, në të komunë janë konfirmuar vetëm dy raste pozitive. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, të dy rastet janë nga fshati Orllan.
Krahas rasteve të reja, të dielën janë shpallur të shëruar edhe shtatë pacientë llapjanë.
“Sot kemi marrë konfirmimin për dy raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Dje s’kemi pasur asnjë rast pozitiv. Përveç kësaj, sot janë shëruar edhe shtatë pacientë duke bërë që numri i rasteve aktive të bie në 72”, ka thënë Rama.
Kujtojmë, rasti i parë pozitiv me virusin korona në Podujevë ishte konfirmuar më 15 mars. Që nga atëherë, rreth 1.800 persona janë testuar, ndërkohë që prej tyre rreth 560 kanë rezultuar pozitivë. Deri më tani janë shpallur të shëruar mbi 400 pacientë, ndërkohë që janë raportuar 17 raste me fatalitet.
Në anën tjetër, Institucionet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar të të dielën se me sëmundjen COVID-19, kanë vdekur edhe 7 persona, të cilët kanë ngritur shifrat në 563.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 92 persona të infektuar me koronavirus. Rezultati është në bazë të 457 testimeve të kryera. Aktualisht raste aktive me COVID-19 në Kosovë janë 3.010. Po të enjten, IKSHPK bëri të ditur se nga sëmundja janë shëruar edhe 115 pacientë.
Bazuar në gjitha këto të dhëna, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, në Kosovë janë regjistruar 14.119 të infektuar. Prej tyre 563 kanë vdekur, ndërsa 10.546 janë shëruar./Llapi.info






