Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka bërë të ditur se në javën e fundit në këtë Komunë është shënuar rënie e lehtë e numrit të të infektuarve me sëmundjen që e shkakton koronavirus, raporton Llapi.info.
Në këtë mbledhje, epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama tha se situata me pandeminë është e menaxhueshme dhe se javën e fundit kemi një rënie të lehtë. Ajo tha se tani në Komunën e Podujevës janë 3,748 persona të shëruar nga coronavirusi, 359 persona janë aktivë dhe 56 persona nuk i kanë mbijetuar këtij virusi.
Sa i përket gjendjes në arsim epidemiologia Rama tha se aktualisht janë tre nxënës të infektuar me Covid-19 dhe 11 mësimdhënës.
Epidemiologia Rama informoi edhe rreth fillimit të vaksinimit kundër COVID-19 në QKMF, që ka filluar nga data 6 prill, me vaksinimin e personelit shëndetësor, kurse aktualisht janë duke u vaksinuar personat e moshës më të shtyrë.
Ndërkaq, togerja Valbona Blakçori – shefe e sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Podujevë, tha se policia është duke aplikuar planin operativ për zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19.Togerja Blakçori tha se gjatë periudhës së ndërmarrjes së masave të fundit anti-COVID nga Qeveria e Kosovës, janë shqiptuar gjithsej 334 gjoba për mos bartje të maskës dhe mosrespektim të orës policore.
Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, ka informuar anëtarët e shtabit se gjatë takimit online me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, një ditë më herët kanë diskutuar për lehtësimin e masave të fundit anti-COVID dhe rihapjen e sektorit të gastronomisë dhe bizneseve./Llapi.info