Lokale - eSIMy

Auditori i Përgjithshëm ka konstatuar shkelje ligjore në tenderin e dhënë nga Komuna e Podujevës, në kohën kur komuna udhëhiqej nga Agim Veliu, tani Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, shkruan Llapi.info.

Një ndër shkeljet e gjetura ishte ajo e eliminimit të operatorit ekonomik me ofertën më të lirë. Te ndikimi thuhet se ‘mostrajtimi i barabartë i të gjithë operatorëve ekonomikë, përveç që është jo ligjore, ndikon edhe në dëmtim të buxhetit komunal.

Sipas kësaj gjetjeje të konstatuar nga Auditori, për ndërtimin e trotuareve në disa fshatra të Podujevës, Veliu i kishte dhënë tenderin kompanisë që kishte ofruar çmim më të lartë për afër 100 mijë euro.

“Gjetja Sipas nenit 7.1 të LPP, Autoriteti kontraktues do t’i trajtoj operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente. Komuna për ndërtimin e trotuareve nëpër disa fshatra Llot 2, kishte lidhur kontratë më datën 19.08.2019 në vlerë 331,177€, ndërsa kishte eliminuar operatorin ekonomik që kishte ofertën më të lirë me vlerë 255,447€”, thuhet në raport.

Gjithashtu aty thuhet se eliminimi ishte bërë me supozimin se ka ofertuar çmime jo normalisht të ultë.

“Eliminimi ishte bërë me supozimin se ka ofertuar çmime jo normalisht të ultë, mirëpo ky supozim nuk qëndron për faktin se operatori ekonomik i eliminuar ka çmime më të shtrenjta për pozicionet e kontestuara nga komuna, pra nuk kanë qenë çmime jo normalisht të ultë. Gjithashtu komuna nuk ka marr parasysh shpjegimet e dorëzuara nga operatori ekonomik mbi procesin e prodhimit të elementeve të betonit nga fabrika të cilën e zotëronte apo minierën për nxjerrjen e gurit dhe përpunimin e gurit në pronësi të operatorit ekonomik të eliminuar”, thuhet më tej.

Por, siç ka raportuar portali arbresh.info, kompania fituese nga ky tender ka qenë ‘Toifor Sh.p.k’, e cila  është e afërt me LDK-në.

Kompania fituese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës ka deklaruar se për pronar ka Enver Zymeri. Nipi i këtij të fundit është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe asamblist nga kjo parti në Kuvendin Komunal të Podujevës.

Në raportin e zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës thuhet gjithashtu se ‘Toifor Sh.p.k’   e ka fituar këtë tender në vlerë 331,177 euro, ndërsa operatori ekonomik me çmim më të ulët, në vlerë 255,447 ishte eliminuar.

Ndërsa ish-kryetarit Veliu i është rekomanduar që të gjithë ofertat të trajtohen të barabarta.

“Kryetari të sigurohet se komisioni për vlerësimin e ofertave të tenderit i trajton të gjitha ofertat në mënyrë të barabartë dhe vlerësimi i ofertave për tender bëhet në pajtim me kriteret e dosjes së ofertës për tender dhe LPP. Gjithashtu zyrtari përgjegjës i prokurimit sigurohet se është duke u zbatuar LPP në tërësi duke ushtruar funksionin e kontrolli për parandalim dhe korrigjim të gabimeve”, thuhet më tej në raportin e zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Por, kjo nuk është shkelja e vetme që është identifikuar në këtë raport.

“Mungesa e planit të subvencionimit të OJQ-ve, mungesa e projekteve ekzekutive të ndërtimit, , tejkalimi i kontratës kornizë, dobësi në menaxhim të kontratës, parregullsi me regjistrat e Pasurisë, pagesa e avansit në kundërshtim me ligjin e buxhetit, e të tjera.

 Për këtë, Komunarët e Podujevës janë akuzuar për keqpërdorim të parasë publike. Me këto akuza ata janë përballur në një seancë të mbajtur në Kuvendin e Podujevës, në pikën kur po diskutohej raporti financiar janar-mars.

Avni Fetahu i VV-së ka thënë se zyrtarët komunalë në Podujevë i largojnë operatorët ekonomikë më të lirë nëpër tenderë.

“Ky raport tremujor s’i përmbush kriteret, s’ka detaje për mënyrën e shpenzimit të parasë publike, duke e ditur se paraja publike është nën përkujdesje dhe mbahet në mirëbesim. Në çfarë mirëbesimi bëhet kjo në Podujevë? Jemi dëshmitarë të gjithë se si menaxheri i prokurimit shndërrohet në një tuxhar tenderësh, duke i eliminuar operatorët ekonomikë dhe duke i shkaktuar buxhetit humbje, duke ndërhyrë në mënyrë totale operatorit ekonomik. Mua m’i keni dërgua edhe njerëzit dhe po ju tregoj këtë se frikën s’ua kam askujt dhe s’kam asgjë personale me askënd. Kështu që buxheti po dëmtohet para syve tanë”, ka thënë Fetahu.

Sipas Fetahut, buxheti i Komunës së Podujevës është dëmtuar për më shumë se 41 mijë euro kundërligjshëm, pasi që siç ka thënë ai, kompanisë për ndërtimin e shkollave i është dhënë punë shtesë./Llapi.info