Javë më parë, Komuna e Podujevës, me theks të veçantë fshatrat e saj, u goditën nga një stuhi e madhe shiu, breshri dhe erë e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha, shkruan Llapi.info.

Qindra banorë të zonave të ndryshme të Podujevës kanë raportuar në Llapi.info, duke dërguar edhe pamje, për dëmet që i ka shkaktuar kjo stuhi.

Madje, në disa prej tyre, u janë shkatërruar të gjitha të mbjellat. Për t’i parë nga afër këto dëme, në terren dolën zyrtarë komunalë, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e po ashtu edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ky i fundit u siguroi bujqve llapjanë se do t’iu dalin në ndihmë. Të njëjtën gjë e pati thënë edhe i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Si rezultat i motit të keq i cili përfshiu dhjetëra fshatra të komunës sonë, ka shkaktuar dëme relativisht të mëdha në bujqësi dhe sigurisht që duke e pasur parasysh dëmet të cilat janë shkaktuar, ne bashkërisht me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ishim në vizitë në disa prej këtyre fshatrave dhe nga afër i pamë dëmet që janë shkaktuar dhe ne kemi krijuar komisionin për vlerësimin e dëmeve dhe të njëjtat do t’i përcjell në ministrinë e bujqësisë dhe presim që të bëhet kompensimi i dëmeve që janë shkaktuara”, ka thënë Bulliqi.

Llapi.info ka pritur disa ditë përgjigje nga zyrtarët për informim nga Komuna e Podujevës se a është bërë vlerësimi i dëmit nga Komisioni – por të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetje të redaksisë.

Komunarët kanë heshtur sa i përket vlerës së dëmit dhe çka pritet të ndërmerret për bujqit që pësuan nga kjo stuhi.

Në anën tjetër, një ditë pas motit të ligë që shkaktoi këto dëme, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka premtuar se do t’iu dalë në ndihmë fermerëve llapjanë.

“Nuk ka vend për dëshpërim Ministria e Bujqësisë do t’i mbulojë dëmet e shkaktuara nga breshëri. Pasi të pranojmë raportin e dëmeve nga Drejtoritë për Bujqësi të komunave, ne si institucion do të bëjmë kompensimin e dëmeve”, ka thënë ai pos tjerash.

Kjo çështje ishte ngritur edhe në një seancë në Kuvendin e Kosovës. Ka qenë pikërisht deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, që kërkoi nga institucionet  shtetërore që t’u dilet në ndihmë bujqve.

“Breshri dhe stuhia e madhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në fshatra të shumta të Podujevës. Ministria e Bujqësisë duhet t’iu dalë sa më parë në ndihmë bujqve llapjanë. Ministria duhet t’ia kthej moralin bujqve. Kërkoj urgjentisht që Ministria t’i identifikojë dhe t’i sanojë këto dëme bujqve në Kosovë – e në veçanti në Podujevë”, pati hënë Musliu./Llapi.info