Nëntë raste të reja me koronavirus janë konfirmuar të shtunën në Podujevë, duke çuar kështu numrin e rasteve aktive në 80, raporton Llapi.info.
Të gjithë këto rastet e djeshmit janë me burim krejtësisht të ri të infeksionit. Për dallim nga herët tjera, kësaj radhe ka edhe qytetarë nga kjo komunë që dyshohet se janë infektuar nga pushimet në Shqipëri. Kështu ka thënë mbrëmë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.
“Burimet e tyre janë të reja dhe s’janë raste kontakti. Prej informatave të marra, ka që janë kthyer prej pushimeve nga Shqipëria që dyshohet se janë infektuar atje, por ka edhe që janë infektuar në punë në Prishtinë”, tha ajo.
Epidemiologia dhe koordinatorja e shtabit emergjent komunal, Bedrie Rama ka thënë se deri më tani në Podujevë kanë rezultuar pozitivë 186 persona.
“Numri i rasteve aktive është 80. Në përgjithësi, i kemi 96 të shëruar, tetë të vdekur dhe 186 persona të infektuar deri më tani në Podujevë. Jemi në pritje të rezultateve edhe për rreth 40 qytetarë”, ka thënë Rama, gjersa ka apeluar tek qytetarët që sa më shumë t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së për mbrojtje nga pandemia COVID-19.
Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 6.917. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së mbesin 2.995./Llapi.info






