Lokale - eSIMy

Gjashtë raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Podujevë, duke çuar në total numrin e rasteve aktive në këtë komunë në 70, raporton Llapi.info.

Të gjitha këto raste janë me burim të ri të infeksionit. Ndërkaq, edhe rreth 40 qytetarë janë në pritje të rezultateve. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

“Kemi marrë konfirmimin për gjashtë raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Rastet e reja janë nga një rast në këto fshatra; Siboc, Gllamnik, Lupç, Godishnjak dhe Gërdoc. Të gjitha këto raste janë me burim të ri të infeksionit. Këto raste kanë dalë pas testimeve të bëra ditë më parë, kurse jemi në pritje të rezultateve edhe për rreth 40 qytetarë. Numri i rasteve aktive në Podujevë ka shkuar në 70, pasi një është shëruar”, thotë Rama.

Koordinatorja e Shtabit Emergjent në Podujevë shton se numri i rasteve të vdekjeve në këtë anë është tetë.

“Gjashtë pacientë i kemi në Klinikën Infektive, të cilët nuk janë edhe shumë me gjendje të rëndë. Numri pritet të rritet akoma me intensitet të njëjtë. Deri më tani i kemi tetë persona që kanë ndërruar jetë dhe që kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Sot i kemi testuar 10 qytetarë dhe për nesër i kemi 15 teste”, thotë ajo.

Rama ka sqaruar taskforcën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës që i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që mjekët familjarë në QKMF-ja në Kosovë të diagnostikojnë pacientët me COVID-19 pa testime.

“Ka qenë fjala për këta që kanë ndonjë anëtar të familjes të prekur me COVID-19 dhe të gjithë ata anëtarë të tjerë që kanë simptoma normal që edhe nëse nuk testohet, dihet që është i infektuar edhe tjetri. Pra, në bazë të simptomave klinike zbulohet dhe vërtetohet se është i prekur”, ka shtuar Rama.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, në Podujevë pozitivë për koronavirus kanë rezultuar 133 persona. Rasti i parë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga kjo komunë.

Në takimin e sotëm Shtabi Emergjent sërish ka apeluar që konform vendimit të Qeverisë shmangen grumbullimet e qytetarëve, të mos organizohen në ahengje të ndryshme familjare, kurse ceremonitë mortore të bëhen vetëm nga rrethi i ngushtë familjar dhe të mos organizohen pritje për ngushëllime-të pame.

Po ashtu, Shtabi ka apeluar te qytetarët që me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, të bartin maskat mbrojtëse dhe të mbajnë distancën sociale.

Në Kosovë u regjistruan në 24-orët e fundit edhe katër viktima nga sëmundja që shkakton koronavirus dhe 142 raste të reja pozitive, nga testimi i 485 mostrave.

Po ashtu, sot në Kosovë janë shëruar 101 pacientë, duke çuar në total numrin e tyre në 3.069. Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 5.877. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.669./Llapi.info