Lokale - eSIMy

Të dielën në Komunën e Podujevës është regjistruar vetëm një pozitiv me virusin korona, raporton Llapi.info.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), rasti i ri është nga fshati Sekiraçë i kësaj komune. Zvogëlimi i rasteve të reja, ka ndikuar që të bie edhe numri i rasteve aktive.

Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama për Llapi.info ka thënë se në këtë komunë ka rënë në 29 numri i rasteve aktive.

“Sot në rast pozitiv ka qenë në Podujevë. Aktualisht i kemi 29 persona aktivë me koronavirs, kurse edhe 20 persona janë në pritje të rezultateve. Ndërkaq, 549 pacientë janë shpallur të shëruar”, ka thënë Rama.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, në Podujevë pozitivë për koronavirus kanë rezultuar mbi 600 persona.

Rasti i parë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë. Deri më tani janë raportuar për 19 viktima, ndërkohë janë testuar 2.430 llapjanë.

Epidemiologia Rama ka thënë se dy edukatore në kopshtin e fëmijëve kanë dal pozitive, mirëpo që të njëjtat kanë qenë në pushim.

“2 edukatore kanë rezultuar pozitive, por ato kanë qenë në pushim, ndërsa 12 edukatore të tjera dhe 20 mësimdhënës kanë dalë negativë”, ka thënë Rama, duke shtuar se deri më tani nuk ka raste pozitive nëpër shkolla pas fillimit të vitit të ri shkollor.

Në anën tjetër,  Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 3 raste të vdekjes me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të dielën se nga 525 testime, pozitivë në koronavirus kanë dalë 47 pacientë. Në njoftim thuhet se nga sëmundja janë shëruar edhe 113 persona ndërsa raste aktive janë 1.572.

Bazuar në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 15.472. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 1.572./Llapi.info