Katër mostra të dyshuara për virusin korona janë testuar të hënën në Podujevë, ndërkohë që një prej tyre ka rezultuar pozitiv me COVID-19, raporton Llapi.info.
Sipas informacioneve të para të Shtabit Emergjent në Komunën e Podujevës, rasti i ri është nga fshati Letanc, por burimi i infeksionit ende s’dihet.
Epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama ka theksuar se me rastin e ri ka arritur në 24 numri i rasteve aktive me COVID-19 në këtë komunë.
“Gjatë ditës së djeshme janë testuar katër qytetarë nga Komuna e Podujevës, për njërin kemi marrë konfirmimin se ka dalë pozitiv me COVID-19. Rasti i ri është nga fshati Letanc, për burimin ende s’kemi marrë detaje, ndërkohë që ekipet kanë dalë në terren për t’i marrë informacionet. Sipas informatave të para, nuk ka ndonjë të sëmurë tjerë në familjen e tij. Me këtë rast, tani i kemi 24 raste aktive në Podujevë. Shtatë pacientë i kemi në Klinikën Infektive, për të cilët s’mund të them se kanë gjendje të rëndë. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme një person i moshës rreth 80-vjeçare nga Llausha e Podujevës ka ndërruar jetë, i cili ishte i prekur me virusin korona, por që i njëjti kishte edhe sëmundje tjera kronike”, ka thënë Rama për Llapi.info.
IKSHPK gjatë të hënës ka regjistruar 195 raste të reja me koronavirus – njëherësh shifra më e lartë e infektimeve ditore, që prej paraqitjes së rasteve të para me këtë virus, në mars të këtij viti.
Gjatë njëzetekatër orëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar edhe katër viktima, të cilët kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Me këto shifra, numri i të vdekurve në Kosovë arrin në 79.
Bazuar në të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 3,703 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1,678 vazhdojnë të jenë raste aktive./Llapi.info






