Lokale - eSIMy

Të dielën janë regjistruar 22 raste pozitiv me virusin korona në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar IKSHPK, 16 prej tyre në qytet, 3 në Dumnicë të Epërme, 2 në Shajkoc dhe një në fshatin Llapashticë e Epërme.

Aktualisht në këtë komunë aktivë me këtë virus janë edhe 190 qytetarë. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

“22 raste kanë qenë sot pozitive në Podujevë. Aktualisht i kemi edhe 190 raste aktive me COVID-19”, është shprehur ajo.

Më tej, Rama ka shtuar se edhe 73 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 3 mijë. Deri më tani, janë raportuar 45 viktima, kurse 2.851 pacientë janë shpallur të shëruar.

Ndërkaq, sot në Kosovë janë shënuar edhe 453 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 3.680 mostrave.

Ditët e fundit, Kosova ka regjistruar rritje të numrit të rasteve me koronavirus. Autoritetet kanë bërë apel që qytetarët të respektojnë rregullat kryesore kundër pandemisë: mbajtjen e maskave, mbajtje e distancës dhe higjienën personale.

Në të kundërtën, nëse trendi i infektimeve ditore vazhdon, autoritetet qendrore kanë paralajmëruar ashpërsim të masave.

Që prej 13 marsit, 2020 e deri më 28 shkurt, 2021, Kosova ka regjistruar 69.230 raste me koronavirusin e ri. Prej tyre, 1.599 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërkaq, 59.849 pacientë janë shëruar. Raste aktive janë 7.782./Llapi.info