Edhe 19 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar të martën në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 8 prej tyre në qytet, 2 në Surkish dhe Bradash dhe me ngë një rast në fshatrat; Batllavë, Dobratin, Dumnicë e Epërme, Gllamnik, Gërdoc, Llapashticë e Epërme dhe Llugë.

Me rastet e konfirmuara sot, në këtë komunë shifra ka arritur sërish në mbi 100 raste aktive. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia dhe anëtarja e shtabit emergjent, Bedrie Rama.

“Sot kemi marrë konfirmimin nga IKSHPK edhe 19 raste pozitive me COVID-19 në Podujevë. Me këto raste të së martës ka arritur në 102 numri i rasteve aktive”, thotë Rama.

Më tej, epidemiologia e vetme në Qendrën e Mjekësisë Familjare ka deklaruar se aktualisht pesë pacientë llapjanë ndodhen në Klinikën Infektive për trajtim mjekësor, të cilët kanë gjendje më të rëndë.

Rasti i parë pozitiv me virusin korona në Podujevë ishte konfirmuar më 15 mars. Që nga atëherë, rreth 1.800 persona janë testuar, ndërkohë që prej tyre rreth 550 kanë rezultuar pozitivë. Në Podujevë janë raportuar edhe për 14 të vdekur, të cilët përveçse kanë qenë të prekur me koronavirus, kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar të martën se janë shënuar edhe 8 viktima me COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, duke bërë kështu që numri i viktimave të arrijë në 533.

Sipas IKSHPK-së në bazë të 534 mostrave të testuara janë regjistruar edhe 147 raste të reja të të infektuarve me koronavirus. Nga sëmundja janë shëruar 197 pacientë.

Bazuar në këto të dhëna, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 13.601 raste të të infektuarve, prej tyre 9.792 janë shëruar. Aktualisht mbeten edhe 3.276 raste aktive./Llapi.info