19 mostra të rasteve të kontakteve janë testuar në Podujevë, rezultatet e të cilave sot kanë dalë negative, raporton Llapi.info.
Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.
“Testimet janë bëra para dy dite, kanë ardhur ekipa nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ku në fshatin Bellopojë janë testuar 14 banorë, familjarë të personit që ka qenë pozitiv para katër dite. Kurse, në Podujevë janë testuar pesë qytetarë që kanë pasur raste kontakti dhe të gjithë kanë rezultuar negativë”, ka thënë ajo.
Më tej, Rama ka deklaruar se më 1 qershor janë konfirmuar 5 raste nga Podujeva, ndërsa më 3 qershor është konfirmuar edhe një rast me COVID-19 në fshatin Bellopojë. Sipas Ramës, gjendja e tyre është stablie.
“Ne rregullisht i vizitojmë dhe jemi në kontakt me ta. Mirëpo, gjendja e tyre është e mirë dhe stabile”, ka thënë Rama.
Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se gjatë të dielës në Kosovë janë regjistruar 40 raste të reja me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.
Po ashtu, Instituti ka bërë të ditur se edhe gjashtë pacientë janë shëruar, duke bërë që numri i përgjithshëm i të shëruarve nga sëmundja COVID-19 të arrijë në 890.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste dhe 31 pacientë kanë vdekur.
Për vetëm 2 ditë, në Kosovë janë konfirmuar 76 raste të reja me virusin korona. E Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, janë gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës. IKSHPK ka bërë thirrje për kujdes të shtuar./Llapi.info






