16 persona nga Komuna e Podujevës janë në pritje të rezultateve për koronavirus. Pesë prej tyre janë ri-testime të pacientëve që tashmë janë infektuar javë më parë me COVID-19, raporton Llapi.info.
Kështu ka deklaruar për Llapi.info Bedrie Rama, epidemiologe në QKMF-në e Podujevës. Ajo ka shtuar nesër pritet t’iu dalin rezultatet.
“Sot kanë qenë pesë ri-testime të pacientëve që para dy jave kanë qenë pozitivë. Përveç tyre, sot janë testuar për herë të parë edhe 11 persona të tjerë, e që rezultatet pritet t’i marrim nesër”, ka thënë Rama.
Epidemiologia Rama ka shtuar se nga Komuna e Podujevës me COVID-19 janë shtatë raste aktive.
“Pacientët e prekur me këtë virus janë në vetë-izolim shtëpiak. Asnjë pacient s’e kemi në Klinikën Infektive. Gjendja e tyre është e mirë dhe stabile”, ka deklaruar Rama.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë të hënës ka regjistruar 129 raste të reja me koronavirus – shifra më e lartë me të infektuar brenda një dite, që prej se u shfaqën rastet e para me këtë virus më 13 mars.
Në 24 orët e fundit janë shëruar edhe dhjetë pacientë, që bën që numri i përgjithshëm i të shëruarve të arrijë në 963.
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus arrin në 1,615 raste. Ndërkaq, 33 pacientë kanë vdekur./Llapi.info