Numri i rasteve të reja në Podujevë dita-ditës është duke u rritur, gjersa vetëm sot janë konfirmuar 12 raste me virusin korona pas testimit të 17 mostrave, raporton Llapi.info.

Dy nga rastet e reja janë nga qyteti, kurse të tjera nga një numër i konsiderueshëm i fshatrave. Numri i rasteve aktive në Podujevë ka rënë në 71. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

“IKSHPK-ja na ka njoftuar edhe për 12 raste të reja me COVID-19 në Podujevë, nga 17 qytetarë të testuar gjithsej. Dy raste janë nga qyteti, kurse të tjera janë nga fshatrat, Dobratin, Dumnicë, Repë, Bajçinë, Bradash, Shajkoc, Batllavë dhe Zakut. Prej tyre, vetëm njëri është rast kontakti, ndërsa të tjerët janë me burim të ri të infeksionit. Tani i kemi 71 raste aktive, pasi që sot janë shpallur të shëruar 15 pacientë llapjanë. Sot janë bërë 10 testime, po ashtu nesër do t’i kemi kaq teste. Zyrtarisht jemi të njoftuar për tetë të vdekur deri më tani në Podujevë. Shqetësuese mbetet moszbatimi i masave parandaluese nga qytetarët. Apeloj që sidomos maskat të barten, qoftë në rrugë, punë dhe në ambiente tjera të mbyllura”, thotë Rama.

Edhe 213 raste pozitive me koronavirus dhe gjashtë viktima u regjistruan në Kosovë në 24 orët e fundit, ka bërë të ditur IKSHPK përmes një njoftimi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se rastet e reja pozitive rezultojnë nga testimi i 494 mostrave.

Po ashtu, sot në Kosovë janë shëruar 109 pacientë, duke çuar në total numrin e tyre në 3.614.

Që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 6.680. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.902./Llapi.info