Dy raste të reja me virusin korona janë konfirmuar të hënën në Komunën e Podujevës. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, një rast është në fshatin Bellopojë dhe një rast në fshatin Kaçybeg, raporton Llapi.info.
Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se ka shkuar në 12 numri i të vdekurve me COVID-19 në Podujevë. Sipas saj, të gjithë këta kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Më tej, Rama ka theksuar se aktualisht në Podujevë aktivë me virusin korona janë edhe 147 persona. Gjatë javës së fundit ka pasur rënie të rasteve të reja, e po ashtu edhe i rasteve aktive.
Në QKMF sot edhe 36 qytetarë e kanë bërë testin për COVID-19, rezultatet e të cilëve pritet t’iu bëhen publike në ditët në vijim.
Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars. Që nga atëherë, në këtë komunë pozitivë kanë rezultuar 446 persona, kurse janë testuar 1 mijë e 425 qytetarë. Prej tyre, 285 pacientë tashmë janë shpallur të shëruar.
Shtabi Emergjent në Podujevë, në mbledhjen e mbajtur sot, ka diskutuar për zbatimin e masave anti-covid.
Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Zogiani ka thënë se ekipet policore janë vazhdimisht në terren, duke përcjellë gjendjen rreth respektimit të masave dhe rekomandimeve nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë.
Ai tha që numri i fletëparaqitjeve secilën ditë është në rritje, duke paralajmëruar se të gjithë qytetarët apo edhe bizneset që s’i respektojnë masat, siç ka thënë ai, do të përballen me ligjin.
Ky shtab ka vlerësuar si shqetësuese grumbullimin e njerëzve në raste siç janë; bizneset e fushës së gastronomisë, dasmat, varrimet dhe pritjet e të pameve.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar të hënën, se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, kanë vdekur 9 persona. Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 410.
IKSHPK ka njoftuar se nga testimi i 449 mostrave, pozitivë në koronavirus janë konfirmuar 129 raste, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 11.545. Të shëruar gjatë 24 orëve janë konfirmuar 152 pacientë. Deri më tani, nga trajtimi që kanë marrë në institucionet shëndetësore janë shëruar 7.343 persona, ndërsa raste aktive aktualisht janë 3.792./Llapi.info






