Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 në takimin e mbajtur sot ka shqyrtuar gjendjen aktuale me pandeminë, vendimin e fundit të Qeverisë për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, informoi anëtarët e shtabit lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike në komunë dhe vendimin e fundit të Qeverisë për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Nënkryetari Rudari tha se javët e fundit kemi përkeqësim të gjendjes epidemiologjike në vend dhe në komunën tonë, prandaj Qeveria e Kosovës ka marr vendim që nga sot të aplikohen  masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Më tej nënkryetari bëri të ditur se nga shfaqja e pandemisë në Komunën e Podujevës janë regjistruar 790 raste të personave të prekur me Coronavirus, prej tyre 631 janë shëruar, 136 raste janë aktive, kurse deri tani 23 persona kanë humbur jetën.

Epidemiologia Bedrie Rama foli lidhur me gjendjen epidemiologjike në shkolla, duke thënë se nga fillimi i vitit shkollor 80 mësimdhënës janë testuar, prej tyre 11 kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 dhe janë izoluar menjëherë. Ndërsa nga 71 nxënës të testuar, 15 kanë rezultuar pozitivë.

Në takim u tha se mësimi nëpër shkolla po zhvillohet normalisht, përveç në Shkollën “Pavarësia” në Siboc, ku dy klasa janë dukë mbajtur mësim nga distanca.

Lidhur me vendimin e Qeverisë për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nënkryetari Rudari tha se këto masa duhet të zbatohen në tërësi, duke filluar nga administrata komunale, lidhur me lirimin nga puna të punëtorëve me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna, gjë që do të nevojitet një angazhim dhe organizim, në mënyrë që administrata të funksionojë normalisht.

Gjithashtu nënkryetari Rudari kërkoi vazhdimin e angazhimit dhe bashkëpunimit të Policisë me Inspektoratin dhe institucionet shëndetësore për zbatimin e vendimit të Qeverisë dhe  Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Zogiani, tha se një lajm i mirë është se stafit të këtij stacioni i janë bashkangjitur edhe 20 zyrtarë policorë, të cilët menjëherë do të angazhohen në teren./Llapi.info