Të premten, në Komunën e Podujevës janë konfirmuar edhe tetë raste pozitive me COVID-19, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), pesë raste janë në qytet dhe me nga një rast në fshatrat; Llugë, Dumnicë e Epërme dhe Batllavë.

Krahas rasteve të reja, sot në këtë komunë janë shpallur të shëruar edhe 16 pacientë, duke çuar në total numrin e tyre në 406. Këto shifra për Llapi.info i ka konfirmuar epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.

“Sot janë konfirmuar tetë raste pozitive me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Të premten janë shpallur të shëruar 16 pacientë, duke bërë kështu që numri i të shëruarve në Podujevë të arrijë në 406. Aktualisht janë edhe 95 raste aktive”, ka thënë Rama.

Sipas Ramës, edhe 24 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Më tej, Rama ka theksuar se që nga 15 marsi, kur edhe është konfirmuar rasti i parë pozitiv në Llap, janë testuar 1.760 qytetarë, prej tyre 515 kanë rezultuar pozitivë për virusin korona.

Epidemiologia dhe Koordinatorja e Shtabit Emergjent ka thënë se institucionet shëndetësore në këtë komunë, deri më tani, janë të njoftuar për 14 raste me fatalitet, të cilët përveçse kanë qenë të prekur me koronavirus, kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Zogiani ka thënë se ekipet policore janë vazhdimisht në terren, duke përcjellë gjendjen rreth respektimit të masave dhe rekomandimeve nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë.

Ai tha që numri i fletëparaqitjeve secilën ditë është në rritje, duke paralajmëruar se të gjithë qytetarët apo edhe bizneset që s’i respektojnë masat, siç ka thënë ai, do të përballen me ligjin.

Llapi.info ka tentuar disa herë të marrë përgjigje nga ky institucion se sa qytetarë janë gjobitur për mosrespektim të masave anti-covid, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar në 24-orët e fundit vetëm një viktimë me koronavirus, duke e çuar numrin total të tyre në 499.

Të dhënat e së premtes kanë treguar edhe për 119 raste të reja të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas testimit të 480 mostrave.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka raportuar për 13.100 të infektuar me këtë virus. Deri më tani janë testuar gjithsej 49.757 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Aktualisht në Kosovë janë edhe  3.362 raste aktive./Llapi.info