Qytetarët e Komunës së Podujevës do të vazhdojnë t’i marrin shërbimet në qendrat mjekësore në Prishtinë, përkundër që ndërtimi i objektit të Spitalit të Përgjithshëm në këtë Komunë ka përfunduar me vite të tëra, shkruan Llapi.info.

Ndërtimi i këtij spitali është kryer për më shumë se pesë vjet, por që i njëjti nuk është funksionalizuar në tërësi asnjëherë. Ky spital është përdorur vetëm në fushata zgjedhore, derisa i është prerë disa herë shiriti nga ish-partia që udhëhiqte me Podujevën, LDK.

Madje, kjo parti, në kohën e fushatës për kryetar të Podujevës, së bashku me ish-ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, patën prezantuar një projekt të këtij spitali.

“Spitali do të ketë̈ sipërfaqe rreth 7,700 m2 dhe do të ofrojë shërbimet si diagnostika (laboratorët me radiologji), ambulancat specialistike, shërbimi emergjent, mjekësia interne, kirurgji dhe ortopedi, gjinekologji dhe neonatologji dhe pediatri”, pati shkruar Zemaj në Facebook, pak ditë para zgjedhjeve të 29 nëntorit.

Mirëpo, pas përfundimit të zgjedhjeve të 29 nëntorit për kryetar të Podujevës, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit s’u përfshi në buxhetin e vitit 2021.

Kryetari aktual i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Podujeva ka mbetur pa spital të përgjithshëm pasi nuk është përfshirë në këtë buxhet.

Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi pati akuzuar  ish-qeverinë Hoti se nuk e ka amendamentuar projektin.

“Ai projekti që paraqitej me pompozitet në fushatën zgjedhore në Llap nuk është askund. Ata që bënë zhurma mediatike për ndërtimin dhe funksionalizimin e Spitalit të Qytetit, që e kishin premtuar disa herë po dëshmohet se ka qenë gënjeshtër dhe mashtrim për qytetarët. Ai projekt është përdorur në funksion të fushatave elektorale e për qëllime të ulëta politike”, pati shkruar Bulliqi. Edhe ky i fundit ka premtuar në fushatën e fundit se do t’i bëjë një zgjidhje këtij spitali.

Se kur pritet të bëhet një gjë e tillë dhe cilat do të jenë hapat e Komunës së për funksionalizimin e Spitali, zyrtarë komunalë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Llapi.info.

Si pasojë e mos-funksionalizimi të Spitalit të Përgjithshëm, qytetarët llapjanë detyrohen t’i marrin shërbimet mjekësore në Prishtinë. Për këtë, këshilltarë opozitarë të asamblenë komunale dhe deputetë llapjanë kanë kritikuar vazhdimisht Ministrinë e Shëndetësisë dhe SHSKUK-në./Llapi.info