Dy drejtori në Komunën e Podujevës kanë mbetur pa udhëheqës, shkruan Llapi.info.
Të dy drejtorët, tashmë nuk janë më pjesë e ekzekutivit komunal, pasi njëri prej tyre u shkarkua – e tjetri dha dorëheqje.
Bëhet fjalë për Drejtorinë e Inspektoratit dhe Drejtorinë e Shëndetësisë. Në të parën, Besnik Mulliqi, u shkarkua nga kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ndaj këtij vendimi pati reaguar vetë Mulliqi.
“Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar! Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz. Të gjithë juve qytetarë të Podujevës dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme”, shkroi ai në Facebook.
Të gjitha këto i hodhi poshtë komuna e Podujevës, duke akuzuar Mulliqin për mosefikasitet në punë.
“Duam të sqarojmë opinionin publik lidhur me lirimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, Besnik Mulliqi në Komunën e Podujevës, se njëra nga arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës së drejtorisë duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës”, thuhej pos tjerash në reagimin komunal.
Menjëherë pas këtij veprimi, Driton Veliu ofroi dorëheqje nga posti i të parit të Shëndetësisë në Podujevë.
Përkundër që të dytë nuk janë pjesë e ekzekutivit për më shumë se një muaj, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ende s’i ka zyrtarizuar emrat e rinj, pasi që, sic ka mësuar Llapi.info, emërimi i drejtorëve do të bëhet pas zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje./Llapi.info