Ndonëse është dita e 23-të e grevës së SBASHK-ut, disa shkolla në qytete të ndryshme të vendit e kanë filluar vitin e ri shkollor.
Në Komunën e Podujevës të gjitha shkollat fillore e kanë nisur pjesërisht mësimin.
Ndërkaq, në shkollat profesionale “Fan S.Noli” dhe “Isa Boletini” janë duke punuar me numër më të vogël të profesorëve, kurse në gjimnazin “Aleksander Xhuvani” mësimi nuk ka filluar.
Këtë e bëri të ditur Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në këtë komunë.
“Shkollat fillore janë duke punuar me një numër të vogël të mësuesve deri në dy apo tre, si dhe me nga 30 apo 40 nxënës. Ndërsa, arsimtarët nga klasa e gjashtë deri në të nëntën kanë një hezitim në lëndë të caktuara”.
“Në gjimnaz kishte nxënës por asnjë profesor nuk e zhvilloi mësimin, ndërsa në shkollat profesionale ka nxënës më pak, por janë deri 10 deri në 11 profesorë që punojnë”,ka thënë Fetahu për Klan Kosova.tv.
Pos Podujevës, mësimi ka filluar edhe në disa shkolla të Gjakovës.
Drejtoria komunale e arsimit atje, ka deklaruar dje se mësimin sot do ta fillojnë edhe pesë shkolla.
“Shkollat që do të fillojnë mësimin janë shkolla fillore ‘Mustafa Bakija’, ShFMU ‘Fehmi Agani’ cikli i ulët, ShFMU ‘Emin Duraku’ cikli i ulët, ShMU ‘Yll Morina’ pjesërisht si dhe ShFMU ‘Fan S.Noli’ fshati Dujakë”, thuhet në njoftim.
Në këtë qytet nga dje po ashtu mësimin e ka zhvilluar edhe shkolla fillore “Kelmend Rizvanolli”. Po ashtu nga dita e hënë pesë mësues të shkollës fillore “Mustafa Bakia” kanë nisur mësimin.
Kurse, në kryeqytet mësimi po zhvillohet në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” dhe në qendrën e kompetencës “Shtjefën Gjeqovi”. Ndërsa si shkollë fillore është “Ismail Qemajli”, në të cilën janë duke dhënë mësim disa mësues.
Ndërkaq punën janë duke e kryer edhe disa mësimdhënës në shkolla të tjera.
Teksa, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë kanë thënë se greva do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e tyre, edhe pse ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje mësimdhënësve të kthehen në punë.