Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën miratoi vendimin për Rialokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2018.

Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunë së Podujevës, të cilën e udhëhoqi Fatmir Gashi –kryesues i Kuvendit, e ku morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe anëtarët e ekzekutivit të Komunës, u trajtuan të gjitha pikat që ishin rekomanduar për shqyrtim nga Komitetit për Politikë dhe Financa.
Lidhur me propozimin e vendimit për Rialokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2018, raportoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, duke thënë se rialokimi është bërë në bazë të një analize të realizimit të buxhetit për këtë periudhë në të gjitha drejtoritë.

“Është analizuar ecuria e deritanishme në secilën kategori dhe në secilën nënkategori ekonomike. Rialokimi ka ardhur në bazë të kërkesave të drejtorive komunale me qëllim të realizimit të projekteve të planifikuara”, tha drejtori Latifi.

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, përkrahu rialokimin e mjeteve dhe bartjen e tyre nëpër kode buxhetore, duke e konsideruar të nevojshëm për vazhdimin e projekteve të planifikuara.

Ndërsa, shefi i Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje Fitim Hziri, ka kritikuar ekzekutivin e komunës për ngecjet në realizimin e projekteve.

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka kërkuar sqarime për mjetet e parapara për rialokim nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Lidhur me këtë çështje diskutuan edhe këshilltarët Hasan Ajeti (LDK)Bajram Ajeti (LVV), Agim Behluli (LDK) dhe Avni Islami (OBKD).

Në pyetjet dhe vërejtjet e bëra nga këshilltarët, kanë dhënë sqarime Hamdi Jaha- drejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Faik Muçiqi – drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Zaim Thaçi – drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Zaim Thaçi. Drejtorët kanë arsyetuar rialokimin e mjeteve dhe bartjen në kode buxhetore brenda këtyre drejtorieve.

Pas diskutimeve, Kuvendi me shumicë votash miratoi Rialokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2018.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Drejtorinë e Arsimit, Agim Blakçori, ka prezantuar një informatë lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, duke thënë se Komuna i ka kryer të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2018/19.

“Mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e komunës së Podujevës. Para fillimit të procesit mësimor janë kryer renovime në 21 shkolla. Janë kryer me kohë procedurat e konkursit për regjistrimin e nxënësve në shkolla dhe punësimin e personelit arsimor të nevojshëm. Në këtë mënyrë kemi krijuar kushtet e nevojshme për fillim të mbarë të vitit shkollor”, tha U.D. i drejtorit, Blakçori.
Në lidhje me informatën e Drejtorisë së Arsimit diskutuan dhe Arlinda Kadriu (LDK) Doruntinë Hasani (LVV) Rafet Llapashtica (PDK), Adelinë Stublla (LVV), Arbër Blaku (PDK), Blerim Maçastena (PSD) dhe Patriot Rudari (AAK).

Në mbledhjen e sotme Kuvendi miratoi edhe propozimin e ndryshimit e vendimit për destinimin – caktimin e paluajtshmërive për ndërtimin e impiantit për trajtim biologjik të ujërave të zeza në fshatin Orllan.