Të dielën janë regjistruar tetë raste pozitive me COVID-19 në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, 3 prej tyre janë nga Siboci i Epërm, dhe me një rast në qytet, Bellopojë, Bradash, Revuçë dhe Shajkoc.
Aktualisht në këtë komunë aktivë me këtë virus janë edhe mbi 320 qytetarë. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama.
“Sot i kemi pasur tetë raste pozitive me koronavirus në Podujevë. Deri tash aktivë janë edhe 326 persona, kurse numri i atyre që kanë përfunduar me fatalitet është 40”, është shprehur Rama.
Epidemiologia e Rama ka thënë se edhe 123 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 3 mijë. Deri më tani, janë raportuar 40 viktima, 2087 pacientë janë shpallur të shëruar.
Si pasojë e rritjes së lakores me të infektuar të rinj, Komuna e Podujevës ditë më parë është futur sërish në zonën e kuqe sa i përket rrezikshmërisë me COVID-19.
Me masat e reja, operatorëve ekonomikë në zonën e kuqe iu lejohet të punojnë deri në orën 21:00, derisa ndalohet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:30 deri në orën 05:00.
Në anën tjetër, në Kosovë sot janë regjistruar edhe 353 raste të reja me COVID-19, pas testimit të 1.642 mostrave, raporton Llapi.info.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes, duke bërë kështu që numri i viktimave të arrijë në 1.410.
Kosova regjistroi rastet e para me koronavirus më 13 mars, 2020. Që atëherë, deri më 17 janar, janë regjistruar 55.851 raste, ku 1.410 pacientë kanë vdekur dhe 49.269 janë shëruar. Raste aktive aktualisht janë 5.172./Llapi.info






