Në hollin e Kuvendit të Komunës së Podujevës, sot është mbajtur fushata kundër dhunës në familje, njofton Llapi.info
Në këtë debat morën pjesë, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, zyrtarë komunalë, pjesëtar nga Policia e Kosovës nga rajoni i Podujevës, Naime Podvorica nga Zyra për Barazi Gjinore, Ardiana Blakçori nga Qendra për Punë Sociale, gra e qytetarë tjerë.
Me moton “ndal dhunën ndaj grave dhe vajzave”, në kuadër të fushatës globale “16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore”, sot është shënuar aktiviteti kundër dhunës në familje në Podujevë, duke promovuar tolerancën në familje dhe ngritjen e pozitës së gruas në shoqëri, si pjesë e barabartë e shoqërisë.
I pari i Podujevës, Agim Veliu, në fjalim rasti tha se dhuna vazhdon të jetë shkelje serioze e të drejtave të njeriut.
“Dhuna në familje dhe në bazë gjinore vazhdon të mbesin ndër shkeljet më serioze të drejtave të njeriut në botë duke përfshirë edhe vendin tonë. Kjo dhunë manifestohet përmes formave fizike e psikologjike. Në Kosovë viktima të dhunës në familje janë kryesisht gra, fëmijët dhe persona e moshuar. Dhuna është e papranueshme në shoqëri duhet të refuzohet si metodë për zgjidhjen e çfarëdo problemi. Dhuna në familje dhe sidomos dhuna ndaj grave e fëmijëve, përpos e papranueshme, është edhe jo humane. Nuk është as burrërore, as njerëzore, të ngresh dorë ndaj një gruaje, fëmijë, personi të moshuar, apo kujtdo, për çfarëdo arsye”, tha Veliu.
Më tej Veliui tha se “dhuna ndaj grave ka kosto të lartë sociale për shtetin dhe shoqërinë në përgjithësi, sepse ndikon negativisht në mirëqenien publike, në shëndet dhe siguri, në arritshmëri shkollore e produktivitet. Ndikon negativisht edhe në ardhmëri”.
“Studimet tregojnë se fëmijët, të cilët kanë qenë dëshmitarë të dhunës familjare, janë më të prirë të jenë edhe vetë viktima të dhunës ose kryes të akteve të tilla në familje, në të ardhmen. Kosova ka bërë një përparim në lidhje me adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj gruas. Mirëpo, edhe pse janë formuar shumë mekanizma e miratuar rregullativa ligjore që mbrojnë viktimat e dënojnë dhunuesit, prezenca e kësaj dukurie në familjet tona, vazhdon të jetë shqetësuese”.
Tutje Veliu tha se institucionet përkatëse duhet të punojnë në luftimin e dhunës dhe parandalimin e saj.
“Policia, prokuroria dhe institucionet tjera duhet të jenë skajshmërisht rigorozë në dënimin e atyre që shkaktojnë dhunë në familje. Institucionet tjera përkatëse, qendra për punë sociale, shoqëria civile dhe mekanizmat tjerë, duhet të bëjnë punën e tyre në parandalimin e rasteve të tilla”, tha Veliu.
Ndërsa, Lulzime Hasani, pjesëtare e Policisë në Podujevë, tha se dhuna e ushtruar ndaj grave vazhdon të jetë në rritje në Podujevë. Sipas saj, Policia vazhdon të punojë luftimin e kësaj dukurie.

“Punojmë 24 orë për rastet në dhunë në familje. Pasi që bëhet fjalë për tre vitet e fundit, në vitin 2016 i kemi pasur 35 raste, në vitin 2017 i kemi 45 raste dhe deri në nëntor të vitit 2018 janë 42 raste, gjithsejtë 122 raste brenda tre viteve. Është ngrit prej 8 për qind prej viti 2016 deri në 2017. Në vitin 2016 kanë qenë 33 viktima femër. Në vitin 2017 39, ndërsa në vitin 2018 33 femra. Kurse, meshkuj në vitin 2016 4 meshkuj, në vitin 2017 9 meshkuj dhe këtë vit 6 meshkuj viktima. Persona të ndaluar vitin 2016 i kemi 7 të ndaluar, 2017 10 persona, ndërsa në vitin 2018 5 të ndaluar me vendim të prokurorit”, ka thënë Hasani.
Sipas saj, këto raste ndodhin kryesisht kur është gjendja jo e mirë ekonomike, martesa e hershme, rrjetet sociale e të tjera.
Kurse, Naime Podvorica, zyrtare për barazi gjinore në Podujevë, tha se dhuna vazhdon të jetë shkelje në çdo komunitet. Ajo apeloi që të luftohet kjo dukuri duke i dhënë fund dhunës në familje.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është manifestim më i dukshëm i pabarazive të thella në shoqërinë tonë. Çdo grua dhe vajzë gëzon të drejtën për një jetë pa dhunë. Andaj, ta luftojmë atë”, tha ajo.
Ardiana Blakçori nga Qendra për Punë Sociale, theksoi se kostoja buxhetore për këtë qendër është e ulët dhe që paraqet problem për këto raste.
“Qendra për Punë Sociale ofron ndihmë për familjet në nevojë dhe rastet e dhunës në familje. Kjo qendër punon në ri-integrimin e një viktime në shoqëri. Buxheti e cila e ka secila Komunë, duke filluar edhe nga Ministria e bëjnë punën shumë të vështirë për ri-integrimin e saj në familje. Ajo fare ne bëjmë është që ajo viktimë të mos viktimizohet më. Viktimizimi Për fat të keq është çdo herë, për arsye se atë viktimë nuk mundesh ta lësh përherë në një strehimore. Andaj, ne i ofrojmë përkrahje, por kostoja buxhetore na e vështirëson punën”, tha ajo.
Ndryshe, debatit të organizuar në kuadër të fushatës globale “16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore” i parapriu një film dokumentar, në të cilin gratë viktima të dhunës në familje kanë shpalosur historitë e tyre./Llapi.info






