Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini u la i lirë në mëngjesin e së mërkurës, pasi një ditë më herët u arrestua dhe u mor në pyetje si pjesë e hetimit rreth dyshimeve për korrupsion në procesin e përzgjedhjes së Katarit si organizator të botërorit 2022.

Platini pas lirimit tha se ishte duke pritur të merrej në pyetje si dëshmitar sikurse para 18 muajve dhe jo në mënyrën në të cilën u mor. Ai shtoi se është shumë i lënduar dhe i poshtëruar për mënyrën se si u veprua ndaj tij, pasi ai nuk u mor si dëshmitar, por si i dyshuar, transmeton Koha Ditore.

“Më dhemb shumë që jam arrestuar, pasi unë nuk kam bërë asgjë në lidhje me këto akuza. Në realitet kam pritur të jem dëshmitar, por ndodhi e kundërta. Edhe pse jam lënduar shumë, në fund të fundit, policia ka bërë punën e saj, kurse unë jam përpjekur të përgjigjem në të gjitha pyetjet”, është shprehur Platini.

Ish-mesfushori i Francës tha se hetuesit e pyetën për një sërë turnesh, përfshirë Evropianin 2016, Botërorin 2018 dhe natyrisht për Katarin.

Platini kishte ndikim për të vendosur se ku do të zhvilloheshin këto turne si president i UEFA-s dhe nënkryetar i FIFA-s gjatë asaj kohe. Ai nga hetuesit u pyet edhe për ekipin nga Ligue 1, Paris Saint-Germain, që u ble nga biznesmenë të Katarit në vitin 2011….(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)