Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona, të cilët kishin falsifikuar dokumentet për shitjen e një toke në vlerë rreth një milion euro.

Të arrestuar janë një grua me inicialet S.M, e lindur më 1971 dhe një burrë me inicialet H.I, i lindur më 1971. Ata dyshohen për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.

“Policia ka njoftuar se i dyshuari në fjalë pasi ka falsifikuar letërnjoftimin e pronarit legjitim të pronave në këtë zonë, më pas ka autorizuar të dyshuarën me iniciale (S.M), që e njëjta të vazhdoj me shitjen e pronave së bashku me personin (H.I.) i cili ka shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, ku sipërfaqja e pronave që kanë pretenduar t’i shesin arrin afërsisht dhjetë (10) hektar, në vlerën aktuale përafërsisht rreth një milion Euro, por kjo është ndaluar duke i arrestuar të dyshuarit e lartcekur në flagrancë, falë angazhimeve dhe punës se përbashkët të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, me Institucionet e lartcekura”, thuhet në komunikatë.

Të dy personat e dyshuar (S.M.) dhe (H.I.) janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe përkthyesit, dhe pas intervistimit të njëjtëve me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në komunikatën e PK-së thuhet se hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë në drejtim të arrestimit të personit të tretë të dyshuar dhe eventualisht personave tjerë të përfshirë në këtë rast.