Lokale - eSIMy

Një ngjarje e pazakontë dhe ende e paqartë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Dumnicë të Poshtme të Podujevës, ku një person është plagosur me armë zjarri derisa po qëndronte në oborrin e shtëpisë.

I plagosuri dyshohet se është goditur nga një predhë në këmbë dhe, pas ndihmës së parë nga Emergjenca në Podujevë, është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm.

Policia është njoftuar për plagosjen rreth orës 00:20 të 11 gushtit, ndërsa incidenti dyshohet se kishte ndodhur rreth orës 23:00.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe hetuesit, të cilët kanë nisur ekzaminimin e zonës dhe veprimet për të zbardhur rrethanat e plagosjes.

Policia ka patrulluar në zonën përreth, por sipas informacioneve fillestare nuk është vërejtur asgjë e dyshimtë.

Ende nuk dihet kush ka shtënë, nga cili drejtim ka ardhur predha dhe nëse i plagosuri ishte objektiv i të shtënave apo është goditur aksidentalisht. Këto rrethana pritet të sqarohen gjatë hetimeve.