Të enjten e 6 tetorit në lagjen Kodra e Trimave në kryeqytet u dëgjuan disa të shtëna me armë zjarri, ku si pasojë kishte mbetur i plagosur një person. Viktima ishte dërguar me urgjencë në spital, ndërsa i dyshuari kishte arritur që të arratisej nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit.
32-vjeçari është paraqitur në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
I dyshuari i arrestuar, sic ka raportuar Sinjali, ka lidhje edhe me një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur para 4 vitesh në Prishtinë.
Para katër vitesh, kryeqyteti ishte tronditur nga rasti i grabitjes që ndodhi në Veternik, ku pronari i një shtëpie në vetëmbrojtje vrau njërin nga katër hajnat që hynë në shtëpinë e tij. Kujtim Krasniqi mbeti i vdekur, teksa i dyshuari tjetër Gëzim Braholli ishte arrestuar. Ky i fundit është emër i njohur për organet e rendit. Së fundmi është përfshirë në një rast të tentim vrasjes në Kodrën e Trimave, për çka qëndroi në arrati për plot dy muaj, ndërsa sot u dorëzua në Polici.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Braholli, 32-vjeçar po dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri, më 6 tetor në lagjen Kodra e Trimave, ku për pasojë një person kishte mbetur i plagosur. Viktima ishte dërguar me urgjencë në spital, ndërsa i dyshuari kishte arritur që të arratisej nga vendi i ngjarjes.






