Lokale - eSIMy

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar Lek Veselin me 3 vite burgim dhe 300 euro gjobë për vrasjen në tentativë pas fjalosjes lidhur me kolonën në trafik në janar të këtij viti në Prizren.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të njëjtit është bërë të enjten nga gjyqtarja Teuta Krusha, pasi Lek Veseli pranoi fajësinë për veprën që ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas shpalljes së aktgjykimit, të akuzuarit Lek Veseli, për veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPK-së i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve në të cilën dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 10 janar 2022 e deri më sot.

Ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPK-së i është shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 300 eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari gjithashtu obligohet të paguajë 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.

Po ashtu të njëjti i konfiskohet arma “Astra Unceta Cia S.A Gverina Spain Mod- A-80 me nr serik: 70927 si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa i dëmtuari Beki Gashi është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Gjykatësja Teuta Krusha bëri të ditur se palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditë nga dita e pranimit të së njëjtit në forme të shkruar.

Ndryshe, me shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Lek Veseli është ndërprerë masa e paraburgimit, në të cilën gjendej nga 10 janari 2022.

Ndryshe, në seancën e dytë fillestar të mbajtur më 05.05.2022, i akuzuari Lek Veseli pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësen e tij, avokate Bahrije Besimi, u deklarua fajtor dhe po ashtu kërkoi falje publike, veçanërisht për sjelljen e tij që ka bërë para bashkëshortes dhe vajzës e po ashtu i premtoi gjykatës që nuk do të përsëriten veprime të tilla në të ardhmen.

Ndërsa, pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi prokurorja, Arijana Shajkovci e që pas kësaj kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha aprovoi pranimin e fajësisë së të akuzuarit Lek Veseli.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 16 mars 2022, i akuzuari Lek Veseli ngarkohet se më 10 janar 2022, rreth orës 14:40, në rrugën ‘’Xhemil Fluku’’ në Prizren, tenton ta privojë nga jeta viktimën B.G., nga Prizreni, në atë mënyrë që derisa viktima ishte në automjetin e tij së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, ku si rezultat i ngarkesës së trafikut rrugor ishte krijuar kolonë e veturave, ashtu që para automjetit të viktimës ishte duke qëndruar i akuzuari me automjetin e tij të markës ‘’Audi’’, i cili e kishte ndalur automjetin duke biseduar me një kalimtar rasti, kështu duke shkaktuar kolonë të panevojshme në trafik.

Me këtë rast, thuhet se viktima pasi që ishte i rreshtuar pas veturës së të pandehurit i bie borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën dhe në atë moment i akuzuari del nga automjeti, i afrohet viktimës dhe fillon të fjaloset me të.

Ndërkohë, në fjalosje e sipër thuhet se i akuzuari kthehet në automjetin e tij, e merr një pistoletë në dorë dhe sërish kthehet tek vetura e viktimës dhe pas shkëmbimit të serishëm të disa fjalëve, fillimisht me dorezën e pistoletës e godet viktimën në kokë, me ç’rast ky i fundit i vërsulet të njëjtit duke tentuar t’ia tërheq pistoletën nga dora dhe në atë moment i pandehuri shkrep një herë me pistoletë duke e plagosur viktimën në këmbën e tij të majtë, derisa viktima, ndonëse i plagosur, vazhdon t’ia mbajë duart të njëjtit për të mos shkrepur edhe më tej.

Në aktakuzë thuhet se më pas policia ka arritur në vendin e ngjarjes, me ç’rast edhe e arrestojnë të akuzuarin, ndërsa viktima si rezultat i armës së zjarrit ka pësuar lëndime trupore në kokë dhe në këmbën e tij të majtë të vërtetuara sipas raporteve mjekësore.

Me këto veprime, i akuzuari Lek Vesli ngarkohet për veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.