Presidenti shqiptar, Ilir Meta ka dekoruar pjesëtarët e FSK-së dhe Njësisë Speciale të Kosovës për sakrificën dhe angazhimin e tyre të pashoq pas tërmetit që goditi Shqipërinë.

Pjesëtarët e FSK-së janë dekoruar me dekoratën e artë të shqiponjës, për sakrificën e pakuesyer të tyre pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, shkruan lajmi.net.

Pas tërmetit janë dekoruar edhe pjesëtarët e Njësisë Speciale me dekoratën Kalorës i Urdhërit të Flamurit.

Dekoratë është dhënë edhe për zjarrfikësit, minatorët dhe njësi tjera të veçanta.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kujtojmë se pas goditjes së tërmetit që la 51 viktima në Shqipëri, Kosova është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Po ashtu, mijëra kosovarë janë angazhuar për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Qeveria e Kosovës, përpos ndihmës prej 500 mijë eurosh, ka hapur edhe  kampin në Prizren ku aktualisht janë të strehuar më shumë se 500 persona.