Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se me anë të marrëveshjes me Kosovën kanë ruajtur kartat e identitetit serb për serbët që jetojnë në Kosovë, por se nuk do të heqin dorë nga targat “KM”.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë të publikuar të dielën, Petkoviq tha se marrëveshja për kartat e identitetit është vendim i rëndësishëm, teksa e ka konsideruar hap të parë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Ne arritëm një marrëveshje dhe të marrim garanci nga BE-ja, që në fakt do të thotë se arritëm të ruanim kartat e identitetit serb për serbët që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Petkoviq.

Ai shtoi se situata është edhe më e vështirë sa i përket targave, teksa tha se janë në pritje të bisedimeve për këtë çështje, për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzon t’i pranojë targat “KM”, për të cilat serbët e Kosovës nuk do të heqin dorë.

“Ne jemi në pritje të bisedimeve edhe për çështjen e targave, ku situata është shumë më e vështirë, sepse Albin Kurti refuzon të pranojë targat ‘KM’, duke qenë se serbët në Republikën e Kosovës nuk do të heqin dorë nga tabelat ‘KM’, të cilat janë lëshuar nga Republika e Serbisë”, ka thënë ai.

Petkoviq ka shtuar se me pranimin e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit, nuk i bie se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.