Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se dje i është dhënë leja Petar Petkoviqit për të hyrë në Kosovë. Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë sot në mëngjes ka qëndruar në Mitrovicën e Veriut ku i ka dorëzuar çelësat 12 familjeve të cilat janë bërë me banesa të reja. Ai do të qëndrojë për dy ditë në Kosovë.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla u shpreh se presin nga Petkoviq t’i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit përndryshe do të ndërmerren masa.

“Atij i është dhënë leja për të hyrë në Kosovë, por këtë informacion që ka dorëzuar çelësat e 12 banesave në Mitrovicën e Veriut, po e kuptoj tani, por leja i është dhënë dje me kusht që ai t’i përmbahet marrëveshjes së Brukselit. Ky është problemi me ta, njeriu mundohet me ta me qenë korrekt, konform marrëveshjeve që janë bërë para shumë vitesh dhe nga pala tjetër shihet veç elementi i provokimit. Ne presim që Petkoviq t’i përmbahet marrëveshjes, përndryshe duhet me pa çfarë masash mund të marrim”, tha Gërvalla për Express të shtunën.

Sot në mëngjes Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka dorëzuar çelësat e 12 banesave në Mitrovicën e Veriut, donacion nga Serbia.

Petkoviq ka thënë se ndërtimi i banesave në Mitrovicën e Veriut është indikatori më i mirë se sa shumë Serbia investon aty.

“Ndërtimi i banesave për njerëzit tanë në Mitrovicën e Veriut është indikatori më i mirë se sa shumë Serbia investon në jetën e tyre dhe mbijetesën në këtë hapësirë” , ka thënë ai, duke shtuar se 15 ndërtesa me 180 apartamente do të ndërtohen në fund të vitit.

Petkoviq do të qëndrojë sot dhe nesër në Kosovë, ku do të vizitojë Kamenicën, Novobërdën, Graçanicën, Shtërpcën dhe Manastirin e Deçanit.

Në anën tjetër, Serbia po vazhdon investimet në veri të vendit, duke ndërtuar shtëpi dhe banesa për serbët e asaj pjese. Së fundi ka filluar ndërtimi edhe i një stadiumi futbolli investim poashtu i qeverisë së Serbisë.