Foto: Ilustrim

Ka shkuar në 165 numri i personave të prekur me coronavirus në vendin tonë.

Në mesin e këtyre personave të prekur janë edhe pesë zyrtarë korrektues dhe një punonjës shëndetësorë i Qendrës së Paraburgimi në Mitrovicë.

Këtë për Telegrafin e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
Thaçi ka thënë se që nga data 13 mars 2020, e deri më sot, nëpër institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit janë pranuar gjithsej 67 persona të rinj.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, me coronavirus nuk është i prekur asnjë i burgosur, ndërsa të prekur janë 5 zyrtarë korrektues dhe 1 punonjës shëndetësor, të njëjtit janë punonjës të Qendrës së Paraburgimit Mitrovicë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se bazuar në planin operativ “Corona Virus” , me qellim të parandalimit të përhapjes së Covid19, çdo person i ri, i pranuar në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, fillimisht i nënshtrohet kontrollit mjekësor, pastaj fazës katërmbëdhjetë ditore të karantimit për të vazhduar me vendosjen e rregullt.

“Të gjithë të lartpërmendurit e prekur me coronavirus, aktualisht janë në vet karantinë”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 20 raste të reja me coronavirus. Me këto shifra, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 165.

Deri tani, nga coronavirusi janë shëruar 24 persona dhe tre të tjerë kanë humbur jetën.