Trupin e mbushur me muskuj, sytë e mprehtë dhe i vendosur për të pasur sukses – Patrick Sauer i ka të gjitha që kërkohen prej një marinsi amerikan. Pjesëmarrës i tri misioneve të ndryshme në Afganistan, në kuadër të forcave speciale, Sauer vazhdimisht skanon mjedisin ku gjendet.
35-vjeçari ende jep përshtypjen se ka energji për të luftuar, pasi nuk e ka humbur zakonin për të analizuar gjuhën e trupit të njerëzve në çdo moment. Tash që shërbimi i tij ushtarak 16-vjeçar ka mbaruar, po mbështetet në përvojën e tij ushtarake për të ndihmuar në krijimin e një kauze krejtësisht tjetër.
Në vitin 2019, “OverActive Media”, kompania e njohur e lojërave kompjuterike, i angazhoi Sauerin dhe ish-kolegun e tij, Tom Hall për t’iu bashkuar ekipeve të ndryshme të këtij sporti në mbarë botën, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”. Kjo ishte një mundësi e mirë për Sauerin dhe Hallin, pasi kompania po mundohet që liderët ushtarakë tashmë të pensionuar t’i aktivizojë nëpër industri të ndryshme dhe t’i bëjë sërish aktivë. Detyra e tyre është që t’i ndihmojnë lojtarët e lojërave kompjuterike të përmirësojnë performancën në fushën e betejës virtuale.
Duke u mbështetur në mësimet ushtarake, Sauer dhe Hall përqendrohen në faktorët, si lidershipi, menaxhimi i konfliktit dhe komunikimi. Kur Sauer flet gjuhën e tij, ai është i mbushur me fjalët si mision, urdhër dhe fushëbetejë, duke reflektuar në intensitetin e jetës së tij të kaluar. Ai insiston se lojtarët mund të mësojnë shumë prej tij dhe Hallit, por kjo varet se sa të dëgjueshëm janë ata.
Image
“Më e rëndësishmja është se mund të mësojmë së bashku. Përvoja jonë është shumë e rëndësishme për lojtarët, pasi ne tregojmë atë që kemi përjetuar dhe se si duhet vepruar për të mbijetuar”, thotë Sauer, i cili ishte i pranishëm në turneun e lojës “Call of Duty”, që u mbajt në Londër ditë më parë në kuadër të ligës botërore. “Ne flasim me ta dhe zhvillojmë një plan, një qasje se si të afrohen te kundërshtari, në mënyrë që të mos vërehen. Pra, ne duam që misioni i tyre në këtë ligë të jetë i suksesshëm”.
24 orë në ditë, shtatë ditë në javë
Sauer tash punon pothuajse pa orar për të ofruar programe për zhvillimin e lojtarëve dhe vazhdimisht është në dispozicion të thirrjeve për ndonjë çështje që ekipi i tij mund ta ketë. Së fundi, ai ka ndihmuar njërin prej lojtarëve të tij për të tejkaluar një sëmundje dhe të jetë plotësisht i gatshëm për ligën botërore. Sauer mundohet që lojtarët t’i bëjë gati edhe në aspektin psikik.
“24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, mund të më kontaktojnë. Lojtarët mund të kenë edhe ndonjë çështje personale në shtëpi, në të cilën më duhet ta ndihmoj. Ata nuk duhet të kenë pengesa, pasi unë jam këtu për t’i mbështetur në çdo aspekt”, është shprehur Sauer.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)