Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë bërë përurimin e paraleles së ndarë dhe sallën e Edukatës Fizike në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Batllavë të Podujevës, raporton Llapi.info.

Në përurimin e shkollës së re në Batllavë u mbajt edhe një program festiv i përgatitur nga stafi i shkollës dhe Komuna e Podujevës. Në programin e përgatitur mbajtën fjalë rasti, kryetari Bulliqi, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci.

Kryetari Bulliqi tha “Po punojmë që përveç infrastrukturës shkollore t’i furnizojmë shkollat tona edhe me mjete të konkretizimit, kabinete shkollore e salla sportive, me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim dhe shkollat tona t’i bëjmë konkurruese me shkollat e vendeve më të zhvilluara”.

Kryeministri Kurti foli për investimet nga ana e Qeverisë në fushën e arsimit dhe shprehu gëzimin për finalizimin e këtij projekti për nxënësit e shkollës në Batllavë, duke u zotuar që si nivel qendror do të vazhdojnë me projekte të tjera investive në shkollat e Komunës së Podujevës dhe komunave tjera.

Ndërsa kryetari Bulliqi e përmbylli fjalën e tij duke i uruar nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe banorët për realizimin e projekteve./Llapi.info