Kabllogramet e Departamentit amerikan të Shtetit kanë treguar se zyrtarët e Ambasadës ishin të brengosur rreth biosigurisë në një laborator të viruseve në Wuhan të Kinës.

Laboratori ndodhet në të njëjtin qytet ku shpërthimi i koronavirusit u vu për të parën herë në vëmendjen e botës. Dhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se administrata është duke i hetuar raportet ende të paverifikuara se virusi ka dalë nga një laborator. Andaj, çfarë i kontribuon kjo asaj që kemi mësuar dhe kuptuar deri më tani për pandeminë aktuale?

Çfarë thonë kabllogramet?

E përditshmja “Washington Post” ka raportuar rreth një informate të siguruar nga kabllogramet diplomatike. Ato tregojnë se në vitin 2018, diplomatët e sferës së shkencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dërguar për të ndërmarrë vizita të vazhdueshme në një laborator hulumtues në Kinë.

Zyrtarët i dërguan dy paralajmërime Washingtonit lidhur me masat joadekuate të sigurisë në këtë laborator. Në shkrim thuhet se zyrtarët ishin të shqetësuar lidhur me sigurinë dhe lëshimet në menaxhim te Instituti i Virologjisë në Wuhan (WIV) dhe kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë.

Aty thuhet po ashtu se diplomatët ishin të brengosur se laboratori hulumtues që merret me koronaviruse të lakuriqëve do të mund ta rrezikonte një pandemi të ngjashme me SARS-im.

Gazeta shkruan se kabllogramet i kanë ndezur diskutimet e fundit në Qeverinë amerikane rreth asaj nëse ky laborator apo ndonjë tjetër në Wuhan mund të ketë qenë burimi që qëndron prapa pandemisë së fundit.

Pos kësaj, “Fox News” ka përpiluar po ashtu një raport që e promovon teorinë e origjinës së virusit nga laboratori. Shpërthimi doli në pah në fund të vitit të kaluar, kur rastet e hershme ndërlidheshin me një treg të ushqimeve në Wuhan.

Por, pavarësisht spekulimeve të flakta në internet, nuk ka kurrfarë dëshmi se virusi Sars-CoV-2 (i cili e shkakton sëmundjen Covid-19), është lëshuar aksidentalisht nga një laborator.

Çfarë masash sigurie përdorin laboratorët?

Laboratorët që i studiojnë viruset dhe bakteret e ndjekin një sistem, të quajtur “standardet BSL”, ku BSL-ja do të thotë “Niveli i Biosigurisë”.

Ekzistojnë katër nivele të sigurisë, të cilat varen nga llojet e agjentëve biologjikë që studiohen dhe masat e parandalimit që nevojiten për izolimin e tyre.