Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar sot një bastisje në lagjen “Bajram Bahtiri” të Prishtinës, në kuadër të hetimeve për një rast të rëndë të ndodhur më 1 shtator 2024 në lagjen “Aktash”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale të Vrasjes së rëndë në tentativë, në bashkëkryerje, si dhe për mbajtje pa leje të armës.
Gazeta Insajderi brenda burime në Polici, ka mësuar se personi i arrestuar për këtë rast është Erdi Marovci.
Ndërkohë, Darsan Marevci është në arrati.
Në vendin e kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e tipit pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale.
Hetimet po vazhdojnë në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes që kishte rezultuar me vrasjen e një personi.
Gjykata Themelore në Prishtinë në muajin prill ua kishte vazhduar masën e paraburgimit edhe nga dy muaj të tjerë (secilit veç e veç) Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.