Të reshurat e dendura të shiut kanë bërë që disa fshatra të Komunës së Podujevës të përmbyten nga uji, shkruan Llapi.info.

Përveç dëmeve në ekonomitë familjare e bujqësore, vërshimet probleme kanë shkaktuar edhe në qarkullimin rrugor, gjersa në rrugën Orllan – Batllavë njëra korsi ka qenë e pakalueshme për automjete.

Fshatrat Bellopojë, Tërrnavë, Dumnicë, Lupç i Poshtëm, Batllavë, Penuhë e Livadicë janë zonat më të prekurat nga këto të vërshime. Banorët kanë thënë se vërshimet dëmtuan tej mase kulturat bujqësore, ndërkohë uji ka depërtuar edhe brenda shtëpive.

Komuna e Podujevës nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë të ditur ekipi i sektorit për Emergjencë i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës me kompaninë e angazhuar është vazhdimisht në teren duke intervenuar në sanimin e gjendjes.

Sipas komunikatës, dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, bujqësi dhe ekonomi familjare do të vlerësohen nga komisioni i Komunës./Llapi.info