Një përleshje brutale mes disa personave ka ndodhur në një kafeteri në sheshin “Mentor Tolaj” në Deçan, mbrëmë pak para orës 24:00, për motive ende të panjohura. Rrahja eskaloi në tentim vrasje, për çka Policia ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar.

Sipas informacioneve të para, rasti ndodhi pas një mosmarrëveshje mes katër personave, 2 vs 2, të cilët u rrahën me njëri-tjetrin, duke pësuar edhe lëndime trupore. Konflikti mes tyre nuk mbaroi me kaq, pasi siç mëson Sinjali njëri nga të dyshuari i mllefosur pas rrahjes, dyshohet se i është vënë pas të dyshuarit tjetër, duke e goditur me automjet.

Pasi dikush e njoftoi Policinë në lidhje me incidentin, një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur dy të dyshuarit, njëri prej të cilëve ishte goditur me veturë nga pala tjetër.

I lënduar i është dërguar fillimisht në spital për trajtim mjekësor, e më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ata janë liruar, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Ndërsa dy të dyshuarit e tjerë gjenden akoma në arrati dhe janë shpallur në kërkim, për veprën penale tentim vrasje.