Një rrahje ku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, ku disa persona janë përfshirë në një përleshje fizike, e për pasojë disa kanë pësuar lëndime trupore.

Siç raportoi Sinjali, rasti është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa katër të dyshuar janë ndaluar për 48 orë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë Valdrin Millaku, rreth 31-vjeçar, Salih Selimi, rreth 36-vjeçar, Granit Neziri, rreth 33-vjeçar dhe Driton Ruhani, rreth 38-vjeçar.

Tutje Sinjali mësoi se përplasja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes Valdrin Millakut dhe Granit Nezirit, e cila ka eskaluar në dhunë fizike, përfshirë më pas edhe dy të dyshuarit e tjerë.

Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe përmes kamerave të sigurisë ka identifikuar të gjithë të përfshirët. Ata janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës, ndërsa një person tjetër është marrë në cilësinë e dëshmitarit.

Të katër të dyshuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore – fillimisht në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, ndërsa V.M është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë për shkak të natyrës së lëndimeve që ka pësuar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.