Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për pengimin që iu është bërë kameramanit Enis Misimi, teksa po xhironte mbajtjen e kuvendit zgjedhor të nëndegës së LDK-së në lagjen Mati.

Kameramani i KosovaPress-it është penguar në punën e tij nga disa persona të cilët i kanë kapur kamerën me dorë duke mos e lejuar vazhdimin e xhirimit.

“Ndërkohë gazetarja e ‘KosovaPress’ që ishte pjesë e ekipit Shqipe Pajaziti, ka treguar për AGK-në se si këta persona i kanë kërkuar të dinë se kush u ka dhënë leje që ta xhirojnë ngjarjen. AGK u bënë thirrje të gjitha partive, institucioneve a çfarëdo grupi tjetër të interesit të mos e cenojnë punën e gazetarëve dhe punonjësve medialë. Pengimi i qasjes në informacion është shkelje e lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për të qenë objektivisht të informuar. AGK inkurajon të gjithë kolegët që të mos ndalen së kryeri me profesionalizëm dhe me etikë profesionin tonë”, thuhet në reagimin e AGK-së./Llapi.info