Këshilli Ekonomik Social ka mbajtur mbledhjen të premten në përpjekje tjetër për të gjetur një zgjidhje rreth situatës së krijuar nga greva e përgjithshme në arsim e administratë, raporton Ekonomia Online.
Por as ky takim, nuk ka qenë i frytshëm, që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të ndërpritet greva në sektorin publik.
Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është vendosur që të ketë edhe një takim tjetër, dhe të gjindet një zgjidhje kësaj çështjeje.
“Ishte një takim i Këshillit Ekonomik Social, trepalësh, odat ekonomike, BSPK dhe përfaqësues të qeverisë. Biseduam gjerë e gjatë në përpjekje që këshilli ekonomik të krijojë rrugë që qeveria të ulet me BSPK. Debatuam për të gjitha çështjet dhe u munduam të gjejmë rrugë të përbashkët”.
“Fatkeqësisht këshilli nuk është ai që vendos, por që ne jemi optimist që nesër e pasnesër jemi të gatshëm të bisedojmë. Urojmë që qeveria të caktojë ekipin e vet. Cdo gjë është e hapur dhe uroj që qeveria nesër ose pasnesër qeveria të gjejë kohë dhe të arrijmë zgjidhje”, tha Jasharaj.
E kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se si AKB, kanë dhënë një propozim që Qeveria e Kosovës t’i ndajë nga 50 euro deri në fund të vitit dhe punëtorët e sektorit publik të kthehen në punë.
“Roli i AKB-së në këtë takim ka qenë të rëndësishëm si ndërmjetësuese, dhe u kemi dhënë një propozim, i cili është dalë nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, që punëtorët e sektorit publik të kthehen në punë, me kusht që Qeveria t’i jap nga 50 euro deri në fund të këtij viti. Fillimisht është kundërshtuar por që dalëngadalë e kemi shtjelluar në detaje. Ne besojmë se gjatë ditëve të ardhshme do të takohemi sërisht në mënyrë që të gjejmë një dakordim dhe punëtorët e sektorit publik të kemi një pagë më dinjitoze”, tha Shahini.
KES-i përbëhet prej pesëmbëdhjetë anëtarëve, të cilët në këtë organ përfaqësojnë interesat e organizatave të punësuarve, organizatave të punëdhënësve dhe Qeverisë.
Ne mesin e pjesëmarrësve, në këtë mbledhje janë të ftuar të marrin pjesë 5 anëtarë nga Qeveria e Kosovës, ndër ta ministri i Financave dhe ajo e Arsimit.
Këshilli Ekonomik Social përbëhet nga pesë përfaqësues të cilët caktohen nga Organizatat e të punësuarve, pesë përfaqësues të cilët caktohen nga Organizatat e punëdhënësve dhe pesë përfaqësues të cilët caktohen nga Qeveria e Kosovës.Këshilli Ekonomiko-Social i themeluar me ligj ka qëllim të vendosjes dhe zhvillimit të dialogut social në Republikën e Kosovës për të punësuarit dhe punëdhënësit, për çështje të rëndësisë së veçantë, të cilat kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të tyre ekonomike, sociale dhe profesionale, që realizohen, përmes zgjidhjeve të kontesteve me marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe.