Mbledhja e Këshillit të Sigurisë ka përfunduar, ani se Qeveria e Kosovës nuk e bëri të ditur se kur saktësisht nisi ajo.

Zyrtarët më të lartë të shtetit dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë këshill tashmë janë larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, njofton Klankosova.tv.

Kryeministri Albin Kurti pasditen e sotme njoftoi se do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë së Kosovës pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë kryesohet nga kryeministri, derisa anëtarë të përhershëm janë zëvendëskryeministrat, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Punëve të Jashtme, i Drejtësisë, Ekonomisë dhe Financave, si dhe ministri për Komunitete dhe Kthim.

Ky këshill ka edhe anëtarë të tjerë këshillëdhënës siç janë drejtori i Policisë së Kosovës, drejtori i AKI-së, zyrtarë të FSK-së, këshilltarë të lartë dhe të sigurisë së kryeministrit dhe presidentes dhe të tjerë.