Zgjerimi i rrugës nga rrethrrotullimi Besi- Podujevë, përkatësisht segmenti rrugor Gllamnik- Podujevë, nuk do të përfundoj deri në afatin e paracaktuar nga Ministria e Infrastrukturës, shkruan Llapi.info.
Hapësira e rrugës, që nga hyrja e parë në Podujevë përkatësisht prej “Qershiave” e deri tek hotel “Besiana” nuk do të asfaltohet së bashku me pjesën tjetër të këtij segmenti. E gjithë kjo, pasi që kompania e kontraktuar nga MI nuk bën ndërtimin e urave, e që në këtë pjesë të rrugës janë dy ura të cilat duhet ndërtuar për zgjerim të rrugës. Kështu kanë thënë për Llapi.info burime të sigurta nga kompania “Al Trade”.
Përveç këtij burimi edhe kjo ministri më datën 27 mars të këtij viti në një njoftim për medie kishte thënë se “largimi i shtresës ekzistuese të asfaltit për segmentin e parë do të bëhet nga fillimi i trasesë në fshatin Gllamnik e deri tek hyrja e parë e qytetit të Podujevës, në një gjatësi prej 2500 metrash.”
Kurse, dje përmes një informate tjetër nga kjo ministri për dallim nga informata e 27 marsit thuhet se “ky segment rrugor ka një gjatësi prej 4.23 kilometrash.
Pra, sipas njoftimit të bërë më 27 mars punimet do të bëhen vetëm deri tek hyrja e parë e qytetit të Podujevës, që i bie deri tek rruga “Skënderbeu”, përkatësisht te “Qershiat”. Këto punime, sipas njoftimit të MI- së, deri në fillim të gushtit do të përfundojnë vetëm në 2500 metërshin e parë të këtij segmenti.
Pjesa tjetër e mbetur e rrugës, që nga hyrja e parë në qytetin e Podujevës, sipas këtij burimi të Llapi.info, do të mbetet deri në muajin dhjetor të këtij viti.
Lidhur me këtë Llapi.info përmes një e- maili ka pyetur këtë ministri se punimet e parapara për segmentin e parë, Gllamnik- Podujevë me një gjatësi prej 4. 23 kilometrash, a do të përfundojnë deri në fillim të gushtit dhe se kompania e kontraktuar nga MI, “Al Trade” sipas burimit tonë, nuk bën ndërtimin e urave por rregullon vetëm shtresën tokësore (rrugën); nga kjo ministri nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Duke mos marrë ndonjë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe duke iu referuar burimit tonë, zvarritja e zgjerimit të kësaj pjese rrugore do të bëhet deri në muajin dhjetor të këtij viti.
Realizimi i punimeve të këtij pozicioni ka filluar të bëhet në fund të muajit mars./Llapi.info