Në prag të ndërrimit të motmoteve, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ia ka dhuruar çelësat e banesës familjes gjashtë anëtarëshe të Ismaile Buqajt.

Kreu i Gjilanit, ka thënë me këtë rast se ndihet mirë që kjo familje më nuk do ta ketë problemin e banimit.

“Jam i lumtur që në prag të Vitit të Ri, e kemi bërë me banesë të re familjen e Ismaile Buqajt, në kuadër të aksionit “Pak nga ne, shumë për ata”. Është nënë vetushqyese, e cila po i rritë pesë jetima, ndërsa njërin djalë e ka me nevoja të veçanta. Ndihem shumë mirë që kjo familje tash nuk e ka problemin e banimit. Besojmë shumë që do të arrijmë t’i zgjidhim problemet e banimit social, duke iu qëndruar afër edhe me dhurata dhe me bursa për shkollim për fëmijët e tyre. Uroj që në vitin 2019 çdo familje të ketë lumturi, gëzim dhe çdo të mirë në jetë!”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, pas mbrëmjes humanitare të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit Haziri për banim social neë tetorin e vitit 2014, numri i familjeve që janë bërë me kulm mbi kokë e ka kaluar shifrën 100, janë rinovuar 50 shtëpi, shtatë të tjera janë në proces, përderisa Komuna po ua paguan qiratë 50 familjeve me gjendje të rëndë sociale./