Lokale - eSIMy

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është nënshkruar marrëveshja administrative mes Zyrës së BE-së në Kosovë, Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, njofton Klan Kosova.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, sekretari i MPJ-së, Fitim Sadiku dhe në emër të Zyrës së BE-së në Kosovë, zëvendësshefi i saj, Riccardo Serri

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për procesin zgjedhor.

“Vëzhgimi i zgjedhjeve është njëra nga pjesët thelbësore, nënshkrimi i kësaj marrëveshje i jep rëndësi dhe shpreh përkushtimin për rrjedhjen e proceseve zgjedhore në vendin tonë”.

“Ne i falënderojmë BE-në për gatishmërinë e tyre.Kjo nuk është hera e parë që ka vëzhgues nga BE-ja, këto zgjedhjet si herave të tjera do të kemi edhe vëzhgues të partive politike si dhe nga vëzhgues të shoqërisë civile”, tha Daka, njofton Klan Kosova.

Ndërsa Riccardo Serri, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, deklaroi se do të kenë një ekip bazik për këtë komision i cili do të zgjidhet nga Frederica Mogherini.

“Ky ekip shumë shpejt do të vijë në Kosovë. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët politik që këto zgjedhje të jenë transparente dhe të lira”.

“Gjithashtu dëshirojmë që të mos ketë provokime dhe të ketë një fushatë të drejtë. Po ashu dua të falënderoj Valdeten për bashkëpunimin e treguar dhe MPJ-në”, ka thënë Serri.