Ngritja e temperaturave ka shtuar pacientët në Qendrën Emergjente të QKUK-së.
Drejtori i kësaj klinike, Basri Lenjani tregon se brenda 24 orëve trajtojnë rreth 320 pacientë.
Ndërsa ditët e fundit, ky numër është rritur deri në 10 për qind për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë në vendin tonë.
“Këto ditë ky numër ka arritur të jetë më i madh. Nga përqindja sillen 5 deri në 10 për qind janë ata të sëmurë që kërkojnë ndihmë mjekësore emergjente për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të temperaturave të cilat mundë të ndikojnë në gjendjen e tyre shëndetësore”, tha Lenjani për EO.
Lenjani shtoi se kategoria më e rrezikuar janë të sëmurët me sëmundjet kronike, personat që kanë pasur goditje në tru dhe të sëmurët me epilepsi dhe hipertension.
“Kategoria ma e rrezikuar janë personat të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike që më parë kanë pasur goditje në tru sëmundje epileptike nga sëmundjet e zemrës si goditja në zemër, nga çrregullimet e ritmit të zemrës nga sëmundjet e gjakut hipertensioni nga sëmundjet metabolike nga sëmundjet”, tha Lenjani.
Ai apeloi tek pacientët më këto lloj të problemeve shëndetësore, të mos i ekspozohen rrezeve të diellit nga ora 11 deri në orën 17, pasi mund të ndikojë në përkeqësim të gjendjes së tyre shëndetësore.
“Zakonisht personat të cilët kanë probleme me sëmundjet kronike nga ora 11 deri në orën 17 fare nuk duhen ti ekspozohen sëmundjeve të diellit për shkak se rrezet e diellit këtë periudhë kohore kanë ndikim negativ në gjendjen e tyre shëndetësore, e sidomos për personat të cilët kanë pas goditje në tru, goditje në zemër apo sëmundje epileptike kronike mundë t’i riaktualizojë problemet shëndetësore”, tha ai.
Lenjani jep edhe këshilla për këtë kategori të pacienteve të cilët doemos duhet t’u përmbahen, raporton EO.
“Personat të cilët janë me sëmundje kronike është mirë të konsultohen me mjekun familjar, të marrin me rregull hapat e përshkruar nga mjeku i tyre, apo nga mjeku specialist, të marrin sasi të mjaftueshme të ushqimit, ushqim i pasur me vitamina me lëngje që brenda 24 orëve të marrin deri në 2 litra”, tha Lenjani.
Sa i përket kapacitetit dhe mundësisë që i posedon Klinika Emergjente për përballimin e fluksit të mundshëm të pacienteve, Lenjani thotë se tashmë janë mësuar me këto kushte dhe se nuk kanë ndonjë problem të theksuar.
Por apeloi tek qendrat e mjekësive familjare dhe spitaleve rajonale që të mos referojnë pacientë që nuk janë të natyrës emergjente.
“Klinika Emergjente nuk është hera e parë që ballafaqohet me probleme të tilla përkundër kësaj edhe nivelet e gatishmërisë të qendrës së mjekësisë familjare dhe spitaleve regjionale ne jemi dakordua vetëm për ato raste të cilat kanë komprometim të shenjave jetësore dhe përkeqim dhe gjendje të tyre të cilat nuk mund të menaxhohen në institucionet e tyre mundë të dërgohen’, përfundoi ai.