Qindra aksidente kanë ndodhur nga e hëna deri të premten në rrugët e Kosovës, shkruan Llapi.info.

Sipas statistikave të llogaritura nga Llapi.info, bazuar në të dhënat ditore të Policisë së Kosovës, gjatë këtyre pesë ditëve në Kosovë kanë ndodhur 573 aksidente.

Prej tyre, katër persona kanë mbetur të vdekur.

Rasti më i fundit i aksidentit me fatalitet ka ndodhur në Vranjevc të Prishtinës.

“Rr. Fahri Fazliu, Prishtinë  05.08.2022 – 01:19. Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar për shkak se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën  nga pakujdesia  kishte shkaktuar aksident trafiku me fatalitet dhe lëndime trupore. Në aksident kanë qenë të përfshira, vetura të cilën kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari, dy këmbësorë dhe dy vetura të parkuara me targa vendore. Si pasojë e aksidentit lëndime vdekjeprurëse ka pësuar njëri prej këmbësorëve viktima mashkull  kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime trupore ka pësuar këmbësori tjetër mashkull  kosovar i cili pas tretmanit mjekësor në QKUK është liruar në shtëpi. I dyshuari ka kërkuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, kurse trupi i pajetë  i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar Policia e Kosovës./Llapi.info