Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të enjten se do ta refuzonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nëse Beogradit nuk i mundësohen lëshime në shkëmbim të njohjes së Kosovës, dhe ndërprerjes së përpjekjeve për ta bllokuar anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, raporton Reuters.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve shkruan se pas takimit të tij me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, Vuçiq ka thënë se asnjë zgjidhje për marrëdhënien e ardhshme të Serbisë me ish-provincën e saj, Kosovën, nuk do të jetë e mundshme pa pëlqimin e Moskës.

“Në përgjigje ndaj një oferte të mundshme (për Serbinë) për ta njohur Kosovën, dhe që Kosova të hyjë në OKB, dhe që ne të mos marrim asgjë në këmbim, përveç anëtarësimit në BE, përgjigja ynë do të ishte ‘jo’”, ka deklaruar Vuçiq.

Serbia, e cila është në bisedime me BE’në për anëtarësim, ka një numër parakushtesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, dhe status special për kishat dhe manastiret mesjetare ortodokse serbe, raporton Reuters.

Beogradi gjithashtu dëshiron t’i rregullojë problemet e theksuara, përfshirë çështje që kanë të bëjnë me energjinë elektrike dhe financat, shkruan agjencia e lajmeve.

Vizita e Lavrovit në Serbi vjen vetëm tri ditë para zgjedhjeve atje, dhe shihet si një shenjë e mbështetjes për Vuçinin.

Lavrov ka thënë se Kremlini do t’i mbështesë vetëm zgjidhjet për Kosovën që janë të pranueshme për Beogradin, dhe që aprovohen nga Këshilli i Sigurimit i OKB’së, ku Rusia gëzon të drejtën e vetos.

“Ne besojmë se presioni për arritjen e të ashtuquajturit normalizimit përfundimtar, përshpejtimi i tij nëpërmjet afateve artificiale, do të ishte kundërproduktiv”, është shprehur ai. /Express/