Vjedhjet vazhdojnë të jenë dukuri mjaft shqetësuese për qytetarët e Podujevës.
Që nga janari e deri në shtator në stacionin e Policisë së Podujevës, janë regjistruar 289 vjedhje, raporton Llapi.info
Kështu ka thënë për Llapi.info, Antigona Çitaku – Dibrani, rreshtere në stacionin e Policisë në Podujevë. Sipas saj, prej 289 vjedhjeve 172 ishin të rënda.
“Lidhur me numrin e vjedhjeve në rajonin e Podujevës ju informoj se nga data 01.01.2018 deri më 23.09.2018 janë raportuar gjithsejtë 289 vjedhje, prej tyre 172 të rënda”, ka thënë ajo.
Më tej, ajo ka shtuar se lidhur me këto raste janë arrestuar 9 persona.
“Persona të arrestuar lidhur me rastet e vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda nga data 01.01.2018 deri më 23.09.2018 janë gjithsejtë 9 persona të cilët janë dërguar para organeve të Drejtësisë”, ka thënë Çitaku – Dibrani.
E këtyre vjedhjeve këtë vit nuk i kanë shpëtuar as institucionet arsimore. Kështu edhe Shkolla Fillore “Nuhi Gashi” në fshatin Dobërdol ka qenë cak i tyre. Sipas ankuesve, Çitaku ka thënë se në këtë shkollë janë vjedhur, një gjenerator, kompjuter dhe janë dëmtuar disa banka në klasat e shkollës.



Siç mëson Llapi.info, fshati Siboc ka qenë njëri ndër vendet që më së shumti janë raportuar për vjedhje. Në po këtë fshat janë thyer shtëpi, lokale e po ashtu vetura dukuri kjo e pritur me shqetësim nga banorët e asaj ane.

Për luftimin e kësaj dukurie edhe Policia nuk ka ndalur aksionet e saj. Kësisoj brenda 24 orëve Policia arrestoi një person, i cili nën kërcënimin e armës, grabiti një filial për transfere të parave në rrugën “Zahir Pajaziti” më 10 shtator.
Ndryshe, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës në mbledhjen e rregullt të mbajtur e ka cilësuar të qetë gjendjen e sigurisë në Podujevë./Llapi.info







