Lokale - eSIMy

Në kuadër të angazhimeve për përmirësimin dhe rritjen e shërbimeve shëndetësore në QKMF-Podujevë, sot për herë të parë ka filluar kryerja e analizave: D-dimer, ASTO dhe CRP, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ishte edhe pacienti i parë që i bëri analizat.

Me këtë rast kryetari Bulliqi tha se ndjehet i lumtur që tani e tutje këto analiza për pacientët llapjanë do të realizohen në QKMF- Podujevë.

“Jam i lumtur që nga sot, qytetarët llapjanë këto analiza do t’i kryejnë në QKMF dhe në këtë mënyrë ata nuk do të paguajnë për këto shërbime” tha kryetari Bulliqi.

Ai tha gjithashtu se këto shërbime janë shumë të rëndësishme për menaxhimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve, sidomos në situatën shëndetësore në të cilën gjindemi.

Në këtë kuadër, QKMF është në proces të finalizimit për ofrimin e shërbimit për elektrolitë dhe imunoglobulina, shërbime për të cilat aparaturat veç janë siguruar./Llapi.info